Red Bulli në kërkim të "krahëve" të vitit të kaluar

Diskutime tek 'Formula 1, Moto Racing' filluar nga Sweety el, 26 Mar 2011.

  1. Sweety el

    Sweety el Idhtar i forumit

    Melbourne, 25 mars - Skuderia “Red Bull” vitin e kaluar fitoi titullin në konkurrencë individuale dhe në atë të konstruktorëve, por prapë ka një dyshim te ekspertët dhe garuesit se kjo skuderi nuk është në nivelet e skuderive që çdo vit kanë fjalën kryesore. Por, Red Bulli ka pikërisht këtë synim që të arrijë nivelet e Ferrarit dhe McLarenit dhe rastin e parë për t'u dëshmuar do ta ketë më 27 mars, në garën hapëse të stinorit që do të mbahet në Melbourne të Australisë.
    Thumbimi nga ish-kampioni i F1, britaniku i McLaren-Mercedesit, Lewis Hamilton, ka shtyrë pilotët e Red Bullit që të motivohen tej mase për garën e parë. Hamilton ditë më parë e ka quajtur Red Bullin një "kompani të pijeve".
    Piloti i Red Bullit, Mark Webber, dëshiron që skuderia e tij të arrijë suksese në kontinuitet dhe të arrijë skuderitë si Ferrari e McLareni. Webber thotë se duhet përsëritur suksesi i vitit 2010.
    "Ne jemi vetëm një kompani e pijeve, por patëm një stinor mjaft të mirë vitin e kaluar. Shpresoj që me këtë ritëm të vazhdohet edhe këtë vit", ka thënë Webber, duke iu kundërpërgjigjur me ironi thumbimit të Hamiltonit.
    Hamilton ka përdorur termin "kompani e pijeve", duke bërë një krahasim mes historisë së Formula 1, përvojës se McLarenit e Ferrarit dhe skuderisë së Red Bullit.
    "Ne patëm një dimër mjaft të butë. Si unë ashtu edhe skuderia kanë bërë shumë punë për të nxjerrë më të mirën. Ne nuk kemi arritur të kalojmë atë kilometrazh që kaloi Ferrari në teste", ka shtuar Webber.
    Piloti spanjoll i Ferrarit, Fernando Alonso, që njëherësh është nënkampion në fuqi, ka thënë se skuderia e tij duhet gjithmonë të vlerësohet si favorite.
    "Nëse piloton Ferrarin, atëherë nuk është diçka e jashtëzakonshme të thuash se do të garojmë për titullin e botës. Kjo është historia e Ferrarit dhe forca e Ferrarit, po ashtu. Kjo skuderi ka një histori të gjatë të pasionit për gara dhe fitore", ka thënë Alonso. Spanjolli është ankuar për zgjatjen e pushimit, pas anulimit të garës së parë të edicionit në Bahrejn. Në Bahrejn ishte paraparë të startonte stinori i sivjetmë i F1 dy javë më parë, por u shty për shkak të trazirave në këtë shtet aziatik.
    "Që nga gara e fundit e vitit e kaluar kanë kaluar shumë muaj. Po ashtu janë shtuar edhe këto 15 ditë me anulimin e garës së Bahrejnit, që nuk është gjë e mirë. Më në fund do të dalim në shteg dhe jam i lumtur", ka thënë Alonso.
    Kampioni në fuqi i Formula 1, gjermani i Red Bullit, Sebastian Vettel, ende nuk e di nëse ka një bolid që do të mjaftojë për të mbrojtur titullin.
    "Ne jemi të lumtur me atë që kemi bërë gjatë dimrit. Vetura ka qenë mjaft stabile nga testet e para dhe jemi të kënaqur deri më tash. Mirëpo, a do të mjaftojë kjo ende nuk e dimë", ka thënë Vettel.
    McLaren ka pasur një dimër të vështirë në prova, por fituesi i garës së fundit në Melbourne, Jenson Button, thotë se modifikimet "agresive" në bolid mund ta bëjnë skuderinë garuese të dielën.
    "Provat në dimër kanë qenë mjaft të vështira dhe jo aq të mira sa kemi pritur. Por, ne kemi bërë disa modifikime të tjera në bolid dhe shpresoj që këto të ndihmojnë për ta kompensuar atë disavantazh. Nëse bolidi është i fortë për të sfiduar skuderitë e tjera, kjo mbetet të shihet", ka thënë Button.
    Kampioni i dyfishtë i Formula 1, Alonso, thotë se është e pamundur që të parashikohet se cilët do të jenë favoritë për titull.
    "Pas tri apo katër garave do të dimë më shumë", ka thënë Alonso.
    Webber, ndërkohë thotë se Mercedes GP e Renault janë përforcuar për t'i sfiduar tri skuderitë lidere të stinorit të kaluar Red Bullin, Ferrarin e McLarenin.
    "Renault dhe Mercedesi janë të shpejtë. Kanë bërë një punë shumë të mirë në dimër. Mendoj se do të jenë mjaft të shpejt këtë vit, por a do të jenë kandidat për titull apo jo, për këtë duhet të presim edhe pak", ka thënë Webber.
    Në stinorin e sivjetmë të Formula 1 do të jenë pesë kampionë në shteg: Michael Schumacheri, Fernando Alonso, Sebastian Vetteli, Lewis Hamiltoni dhe Jenson Buttoni.
    Schumacher që është rekordmen i F1 me shtatë tituj të fituar, stinorin e kaluar me skuderinë Mercedes GP dështoi tërësisht, mirëpo është optimist se kësaj radhe skuderia do të jetë në nivel.
    "Do të jetë interesante dhe të presim garën e parë për të shikuar se ku gjendemi", ka thënë Schumacher 42-vjeçar.
    Piloti i skuderisë së Ferrarit, Fernando Alonso, është më i paguari në Formula 1, shkruan gazeta gjermane "Bild" të enjten.
    Alonso fiton 28 milionë euro në vit. I dyti në këtë renditje është kampioni i shtatëfishtë i F1, gjermani Michael Schumacher (Mercedes GP) me pagë prej 21 milionë eurosh në vit. Pas Schumacherit vjen britaniku i McLarenit, Lewis Hamilton, me pagë vjetore prej 17 milionë eurosh, derisa i katërti është kampioni në fuqi Sebastian Vettel me pagë prej 15 milionë eurosh në vit.

Share This Page