“Shqipëria Tjetër”,Historia E Një Fshati Të Humbur

Diskutime tek 'Portali i AlbForumit' filluar nga Agjenti_007, 15 Feb 2016.

  1. Agjenti_007

    Agjenti_007 Kujdes.Ceta.Plak.E.Mallakastres Anëtar i Shtabit



    Një pamje e zymtë të shfaqet vetëm disa qindra metra, pasi devijojmë nga rruga nacionale që të drejton për në Peshkopi. Shtëpitë e para i përkasin Melanit, një fshat thuajse i braktisur.

    Rruga është një shteg i masakruar, ku çdo mjet do ta kishte të vështirë të kalonte. Pesë kilometra nga pjesa e fundit e shtruar, në këmbët e majës së zbardhur të Velivarit ngrihet Ilnica, me shtëpitë e mbledhura që bien në sy për madhësinë e tyre.

    “Ilnica do të mund të ishte padyshim një fshat i zhvilluar, por nga dëshira në realitet, ndryshimi sigurisht është i madh. Sot ky fshat, që ngrihet jo larg qytetit të Peshkopisë, ofron pak ose aspak për banorët e tij”.

    Deri në vitet ’90, fshati ka pasur mbi 60 familje, ndërsa sot ato janë rreth 20. Nuk është e vështirë të kuptosh se përse janë larguar. Infrastruktura e rrënuar dhe shumë mungesa të tjera nuk u dhanë alternativë tjetër.

    “Nuk ka rrugë, s’ka asnjë gjë prej gjëje. Kjo është ajo që detyron të largohet e gjithë rinia, sepse nuk kanë një të ardhme këtu në vendin e tyre. Këtu diskutohet buka e gojës, në këtë fshat rrezikohet buka e gojës”, thotë Klodian Alia.

    Nëse ke një rast urgjent, një të sëmurë apo një problem tjetër, duhet të paguash jo më pak se 200 lekë për në Peshkopi. Ndërsa lëvizja normale bëhet me furgon, që banorët e paguajnë 150 lekë. Për disa, shuma të tilla mund të duken qesharake, por në një fshat ku të ardhurat mungojnë tërësisht, ato janë të konsiderushme.

    “Shikojeni rrugën si është, gjithçka e tregon vet ajo. Edhe ti (Marinit) vet ke ardhur me makinë, e tregon vet rruga si është. Mendo, unë që shkoj përditë”, thotë Myfit Nurçe.

    Ilnica, edhe pse nuk ka shumë toka, prodhonte jo pak produkte. Banorët përpiqen edhe sot, por mungesa e ujit vaditës e bën të pamundur, që bujqësia t’u garantojë të ardhura të mjaftueshme.

    “Toka punohet siç e punonin gjyshërit tanë përpara, apo edhe stërgjyshërit tanë. Kemi probleme me ujin e vaditjes. Nga ana ekonomike, ma merr mendja që shihet edhe vet, nuk ka nevojë ta përshkruash më tepër me fjalë. Edhe shtëpitë, banesat tregojnë anën ekonomike”, thotë Remzi Istrefi.

    “Toka jonë është komplet në të thatë, nuk jep asnjë lloj prodhimi. Me vështirësi shumë të mëdha jetojmë, një pikë ujë me zor ke. Ky është një fshat i thatë, pa ujë. Për jetesën, marrim një thes miell dhe nja dy gjëra të tjera sa për të jetuar, sa për të kaluar radhën”, thotë Xhelal Istrefi.

    Të mbijetosh në këtë fshat është më shumë se e vështirë. Thuajse të gjitha familjet janë në varfëri të plotë. Shtëpitë e vjetra thuajse po bien, e mes tyre, banorët do ta kenë të vështirë të shpëtojnë. Mjafton të shikosh kudo në rrugicat e fshatit, e do të të duket sikur je rikthyer në kohë, ose sikur ke marrë imazhe nga filmime të vjetra të shekujve më parë. Kudo rrënim.

    “Më katastrofë nuk ka ku të gjesh, çdo gjë mos më keq. Nga shteti nuk kemi asnjë përkrahje, çfarë të themi”, thotë Përparim Shehu.

    Në këto kushte, banorët jetojnë vetëm përmes bimëve medicinale. Punohet 6 muaj në vit për të jetuar edhe 6 muajt e tjerë. Të gjithë, të mëdhenj e të vegjël merren me këtë punë, për të garantuar minimalen e mundshme. Mjafton të shikosh fitimin, për të kuptuar se me sa pak duhet të mbahen këta njerëz. Të tjerë kanë vetëm ndihmën sociale.

    “Në 6 muajt e verës mund të mbledhësh 2-3 milionë lekë, më shumë s’ka. E këto pastaj i hamë dimrit që vjen. Vetëm me këto lekë duhet të jetojmë për një vit të tërë”, thotë Ermal Alia.

    “Me një asistencë mbahem, 3 mijë lekë në muaj. Me këto i bie të mos mbaj as veten, vetëm për bukë”, thotë Asllan Nurçe.

    Për investime nuk bëhet fjalë, madje as për premtime. Banorët thonë se politikanët nuk kanë interes, pasi e konsiderojnë Ilnicën një fshat shumë të vogël. Sot, ata janë pjesë e Bashkisë së Peshkopisë, por thjesht zyrtarisht, sepse praktikisht nuk dinë se ku të kërkojnë të drejtat e tyre. Ky komunitet ka mbetur në mes, në njërin krah skamja që i ka vënë përposhtë, e në tjetrin që askujt nuk u shkon ndërmend të sjellin investime në këtë vend, në këtë zonë.

    Por, a kanë edhe këta njerëz të drejta? Si duhet të jetojnë gjithë këta fëmijë të vegjël dhe, a duhet të përgjigjet dikush të paktën për ta?

    “Dy makinë zhavorr nuk i sjell njeri për të mbushur një gropë. Sapo fillon bora, këtu bllokohet gjithçka. Shkolla problem. Këtu nuk jetohet, sepse po nuk lëvize, nuk jetohet. Si do të dalë për ushqim këtu. Toka këtu s’prodhon, veç të mbash një lopë, me vështirësi edhe atë. Tjetër gjë për të jetuar nuk ka”, thotë Refik Shehu.

    Në Ilnicë, ndoshta është e tepërt të flasësh edhe për varfëri, sepse edhe ajo vet dukshëm do të kishte frikë të jetonte këtu...
     
    nialla and Albo4Ever like this.

Shpërndajeni këtë faqe